Ta shohësh veten përmes syve të Perëndisë (1)
8. tetor e mërkurë

“Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus” Efesianëve 2:10

Nëse do mund të ndryshoje një gjë tek vetja jote, cila do të ishte? Shumica prej nesh mund të bënin një listë të tërë! Fakti është se, vetëm Jezusi e mban rekordin botëror kur vjen puna tek përsosmëria. Në fjalët e Jennifer Dukes Lee: “Deri sa të bindesh për dashurinë e pabesueshme të Perëndisë…do të vazhdosh të kërkosh për dashuri zëvëndësuese kudo përveç se në zemrën e Krishtit. Pavarësisht se ku jeton ose punon…armiku vjen vërdallë si një luan, duke përndjekur njerëzit në fushën e ekonomisë, sfilatat e modës, lagjet periferike dhe faqet e Facebook-ut…Ne jemi në luftë me Satanin, i cili do të përdorë çdo mundësi për të na pëshpëritur në vesh: ‘Çfarë po mendojnë të tjerët për ty?’. Ai do të të thotë se je tepër i shëndoshë, tepër i fryrë, tepër budalla, tepër i varfër. Ai do të bëjë çdo gjë që mundet që ta drejtojë dashurinë tënde tek gjërat e botës, në vend të Krishtit. Ai mund t’i mbështjellë ato akuza edhe në letra të shndritshme revistash nëse i duhet ta bëjë”.

Mos i beso gënjeshtrat e tij. Jezusi tha: “Ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës” (Gjoni 8:44). Një autor i krishterë e përmbledh kështu: “Pakënaqësia është një nga gjigandët e mëdhenj, të cilët duhet t’i mposhtim nëse duam që ta shijojmë jetën…Mund të mos kemi çdo gjë që duam të kemi, por me siguri kemi më shumë se disa njerëz. Sido që mendon se dukesh, është dikush që do të donte të dukej si ty. Sado i vjetër të jesh, është dikush që do të donte të ishte aq i ri sa ty…Duaje veten dhe duaje jetën tënde; është e vetmja që ke! E vërteta është se Perëndia të ka bërë unik dhe ka vetëm një ‘ti’.